Facebook i shpall luftë Google

25Pas blerjes së WhatsApp, Facebook ka futur në dorë edhe një kompani tjetër: Për dy miliard dollarë, themeluesi Zuckerberg e ka blerë kompaninë Oculus. Fjala e re magjike në këtë fushë të industrisë quhet “Wearables”.
Mediat Sociale, tabletët, telefonat e mençur – smartphone, të gjitha këto i përkasin së kaluarës. Akterët e mëdhenj në fushën e industrisë së internetit, të tilla si Google dhe Facebook janë të interesuara vetëm për një çështje: Çfarë vjen nesër? Apo pasnesër? Cila është “Kupa e Shenjtë” e re me të cilën interneti do të përdoret në të ardhmen? Dhe kush do ta gjejë më parë atë?
Ekspertë të kësaj fushe si redaktorja e NDR-it, Svea Eckert janë të sigurtë: Trendi i së ardhmes janë të ashtuquajturat “wearables”, dmth pajisje portative interneti që mund të vendosen direkt në trup dhe reagojnë ndaj komandave me zë dhe sinjaleve vizuale. Zhvilluesit e këtyre pajisjeve paramendojnë një “njeri si Cyborg” thotë ekspertja Eckert.
Gara për trendet e ardhshme
Në këtë drejtim shkojnë llojet e syzeve kompjuterike si “Google Glass”: Në një lente të syzeve hapet një dritare e vogël interneti që jep informacion për atë që ju shihni në atë moment. Përveç kësaj, përmes mbylljes së qepallës së syrit, korniza e syzeve mund të bëjë fotografi ose regjsitrojë video të tëra. Edhe pse këto syze janë ende në fazën e testimit, Google prin në këtë mënyrë edhe një herë në garën për trendet e ardhshme.
Facebook ndjek tani kompaninë Google me projektin e saj: Facebook është duke zhvilluar syzat kompjuterike “Oculus Rift”, me të cilat në botën virtuale kemi pamje tredimensionale – syzet e mbyllura plotësisht nga të gjitha anët reagojnë ndaj çdo lëvizje të kokës. Deri më tani këto syze ishin projektuar për videolojëra. Por themeluesi i Facebook-ut Zuckerberg parashikon që në të ardhmen përmes tyre të kemi mundësinë e përcjelljes së ligjëratave në shkolla apo të konsultohemi me një mjek.
Në dispozicion vetëm versione testuese
“Facebook gjithmonë duhet të zbulojë diçka të re”, thotë Svea Eckert, “në mënyrë që të mbetet në treg dhe të rritet. Gjithnjë bëhet fjalë për rriitje në mënyrë që të mos ketë stagnim.” Facebook-ut i ka shpëtuar zhvillimi i biznesit të telefonisë mobile. “Por tani Facebook dëshiron të jetë pajisja, platforma përmes së cilës ne do të kemi qasje në internet dhe do të ndërlidhemi me botën tonë. Dhe ata tani janë duke u përpjekur që këtë ta arrijnë me këto syze.”
Ashtu si “Google Glass” edhe “Oculus Rift” është aktualisht në dispozicion vetëm si version testues. Programet për to ju duhet t’i shkruani vet.
Ai që e ka provuar një gjë të tillë është Max Rheinermark. Lektori në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Cyrihut ka zhvilluar si një projekt kërkimor një simulator, në të cilin me ndihmën e syzeve kompjuterike kthehesh në një orl të kuq që fluturon. “Shumica e atyre që kanë marrë pjesë në test kanë qenë jashtëzakonisht të fascinuar, veçanërisht nga ndjenja e fluturimit”, sqaron Rheinermark.
Ende në fazë provuese
Megjithatë, kjo teknologji nuk është pjekur ende sa duhet, nënvizon hulmtuesi nga Cyrihu. Syzet reagojnë relativisht ngadalë, pamjet nuk janë gjithmonë të qarta. “Simulatori ynë simulon situatën në hapësirë, pra, si njeriu lëviz në ajër. Dhe në qoftë se nuk funksionin njëqind për qind, atëherë ka momente kur njeriu mund të mos e ndjejë veten mirë.”
Edhe Svea Eckert nuk e kishte ndierë veten mirë kur për herë të parë kishte provuar syzet “Google Glass”. “U ndjeva shumë e përqendruar.” Persona të tjerë që kanë provuar ato janë ankuar se ju kanë çuar të vjellurat.
Konkurrenca nuk fle
Zhvilluesit e këtij projekti duhet pra të punojnë ende deri sa syzet kompjuterike do të jenë të gatshme për tu hedhur në treg. Një garë në të cilën përfshihen edhe konkurrentët e tjerë si kompania amerikane Vuzix, Golden-i nga Britania e Madhe, Truck Technologies e Francës dhe SI14 nga Italia. Ndërsa në Universitetin e Uashingtonit tashmë është duke u punuar në prodhimin e një lente kontakti me funksione të njëjta sikurse syzet kompjuterike.
A është e mundur që një ditë çipat kompjuterikë të implantohen direkt në sy apo edhe në tru? “Me lentet e kontaktit ndoshta një gjë e tillë mund të funksonojë”, mendon Rheiner por me implante të trurit? Kjo nuk tingëllon shumë e besueshme.”

Comments are closed.