Published On: Mon, Sep 9th, 2013

Belbëzimi te fëmijët

1Dëshira më e madhe e të gjithë prindërve është të rrisin fëmijë të shëndetshëm si nga ana fizike ashtu dhe nga ajo emocionale. Por kohë pas kohe mund të përballemi me probleme të padëshiruara dhe e kemi të vështirë t’ia dalim. Njëri nga këto probleme është edhe belbëzimi. Më poshtë u jemi përgjigjur disa pyetjeve të lidhura me belbëzimin. Start transmeton një shkrim mbi këshillat se kur duhet filluar normalisht terapia e të folurit, a ka raste kur duhet filluar menjëherë?
Nëse belbëzimi fillon në moshën 2-5 vjeç, prindërit duhet të kontaktojnë një mjek pediatër dhe të konsultohen me të. Nëse problemi vazhdon edhe pas një pritjeje 6-mujore, atëherë fëmija duhet të fillojë terapinë e të folurit. Por në rastet kur ky problem ekziston edhe tek pjesëtarët tjerë të familjes, atëherë fëmija duhet vizituar menjëherë.
Si duhet të komunikojë familja me fëmijën që belbëzon?
Fëmija duhet dëgjuar në mënyrë të qetë dhe të marrë përgjigje pasi të ketë mbaruar së foluri. Prindi nuk duhet të përpiqet ta riparojë të folurën e fëmijës nëse ai nuk arrin të shprehet siç duhet, dhe të mos përdorë asnjëherë fjalë ndihmëse si “kujdes, fol ngadalë, mos nxito” etj. Pranë fëmijës nuk duhen hapur tema në lidhje me belbëzimin edhe nëse flisni me nënkuptime.
Si trajtohen fëmijë të tillë?
Gjatë edukimit të fëmijës suaj duhet të ekzistojnë medoemos fjalët po-jo. Ta zëmë se i thatë “jo” fëmijës, ai qau, këmbënguli por ju nuk hoqët dorë. Fëmija filloi të belbëzojë brenda ditës, u mërzitët dhe përgjigjen tuaj e kthyet në “po”. Kjo është një sjellje e gabuar dhe fëmijës i jep një mesazh të tillë: “Unë mërzitem kur ti belbëzon, nuk mund të të shoh ashtu dhe prandaj t’i plotësoj dëshirat”. Nëse fëmija e merr mesazhin në këtë formë, atëherë ai do ta përdorë belbëzimin për plotësimin e dëshirave të tij. Në këtë mënyrë, pa e kuptuar mirë ne bëhemi shkak të një belbëzimi të vazhdueshëm te fëmija. Duhet të sillemi në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar. Kjo është shumë e rëndësishme për parandalimin e belbëzimit dhe zhvillimin e personaliteti të fëmijës.
Këshillat që mund t’u jepen familjeve
Fëmija belbëzues 2-3 vjeçar këshillohet të frekuentojë kopshtin për 2-3 orë, nëse është mbi 3 vjeç atëherë mund ta frekuentojë gjysmë dite ose gjithë ditën. Sepse fëmijët sot rriten me dado ose me nënat në shtëpi, pra rriten të vetmuar, dhe qëndrimi i vazhdueshëm në mjediset e shtëpisë mund ta mërzisë atë dhe të shtojë mundësinë e belbëzimit. Prandaj qëndrimi me bashkëmoshatarët e tij do ishte më i drejtë. Krahas kësaj, prindërit duhet të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, p.sh. të luajnë me fëmijën dhe ta lënë atë të lirë të zgjedhë lojën e dëshiruar.
Fëmijët të qëndrojnë larg…
Familjet duhet t’i mbajnë fëmijët larg televizorit, kompjuterit, lojërave “Playstation” apo pajisjeve të tjera elektronike, dhe të preferohen mjediset me fëmijë. Këtu është shumë e rëndësishme që fëmija të ndodhet jashtë, mes njerëzve dhe në ajër të pastër. Filmat vizatimorë, personazhet e tyre, dhuna e përdorur mund të ndikojë negativisht te fëmija, madje ka raste kur fëmija mendon se mund t’i ndodhin të njëjtat gjëra si në filma, çka shkakton një lloj frike e cila nxit më shumë belbëzimin.
A ndikon sjellja tepër mbrojtëse e familjes në belbëzim?
Familja nuk duhet të jetë shumë mbrojtëse, por të sillet në mënyrë të përshtatshme me moshën e fëmijës. Disa familje sillen me fëmijën sikur të ishte një bebe e vogël. Krahas kësaj, prindërit këmbëngulin të vendosin në vend të fëmijës për ngrënien, pirjen apo veshjen, megjithëse ai mund t’i bëjë vetë të gjitha këta. Por fëmijët e rritur në këtë mënyrë rrezikohen më shumë nga belbëzimi ose ripërsëritja e tij kur përballen me një vështirësi.

Comments are closed.

Page Speed 87 queries in 1.202 seconds.