Historia e një italiani që jep jetën për kuletën e humbur të një shqiptari

14Mediat italiane raportojnë shpesh ngjarje të rënda, ku janë të përfshirë shqiptarë. Ngjarjet janë nga më të ndryshmet, vjedhje, grabitje, dhunime apo edhe vrasje, ku protagonistët janë shqiptarët. Por ngjarja e sotme është ndryshe nga të tjerat: Një italian ka humbur jetën në përpjekje për të rimarrë portofolin e humbur të një shqiptari.
Gjithçka ka ndodhur në provincën e Poggioreale-s në Itali, ku shtetasi italian Salvatore Sagliocco është qëlluar tetë herë me thikë nga një tjetër italian. Sagliocco ka tentuar që të marrë mbrapa një portofol të humbur të punëtorit të tij shqiptar, por kjo kërkesë ka rezultuar fatale për 40-vjeçarin.
Salvatore Sagliocco u vra ditën e Pashkës, në përpjekje për të rimarrë portofolin e një shqiptari, brenda të cilit ndodheshin dokumentet e tij, së bashku me lejen e qëndrimit. Këto detaje vijnë nga familja e viktimës, por krimi është pranuar edhe nga autori, Salvatore Manna, i cili tashmë ndodhet në burgun e Poggioreale-s.
E gjithë historia ka nisur në një qendër bastesh, ku shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, ka qëndruar aty për disa minuta dhe ka vënë edhe një bast për një nga skuadrat e tij të preferuara. Në momentin që është larguar nga qendra e basteve, shqiptari ka harruar aty edhe portofolin, ku kishte të gjitha dokumentet e tij, përfshirë edhe lejen e qëndrimit që i duhet një emigranti për të qëndruar në Itali. Portofoli është pikasur nga një italian, i cili ndodhej në të njëjtin vend me shqiptarin, dhe sapo ky i fundit është larguar, shtetasi italian Salvatore Manna e ka marrë portofolin dhe ka ikur.
Sapo shqiptari është kujtuar për portofolin që kishte harruar, kthehet tek pika e basteve dhe i kërkon llogari pronarit të qendrës me inicialet M.B. se ku kishte përfunduar portofoli i tij, pasi ishte i sigurt që e kishte lënë aty. Pronari i thotë shqiptarit se nuk ishte në dijeni për një gjë të tillë, por ky i fundit këmbëngul. Në këto kushte, pronari i qendrës së basteve hap kamerat e sigurisë dhe aty tregohet qartë se kush ishte hajduti i portofolit. Rezulton që pronari i shqiptarit, Salavatore Sagliocco, i cili e shoqëronte shqiptarin në ato momente, e njihte personin që kishte marrë portofolin, pasi banonte shumë afër shtëpisë së tij.
Italiani vendos që të shkojë në shtëpinë e hajdutit, për të kërkuar portofolin e shqiptarit, por aty është përballur me vëllanë e hajdutit, dhe më pas ka dalë edhe ky i fundit. Situata është acaruar ndërmjet tre italianëve, dhe në ato momente Salvatore Manna, personi që kishte marrë portofolin, futet në kuzhinë, merr një hanxhar dhe del tek porta duke e qëlluar tetë herë më thikë Salvatore Sagliocco-n. Ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia arrestoi autorin e ngjarjes, i cili ndodhet në burg.
Ai la pas bashkëshorten e tij, Anxhelën dhe dy fëmijë të mitur, djalin 7 vjeç dhe vajzën 14 vjeçe. “E vranë si një qen”, -shprehet Anxhela, ndërsa nuk thotë asgjë për shqiptarin, për të cilin bashkëshorti i saj u vra. Salvatore Sagliocco u vra për një portofol të humbur të një punëtori shqiptar, tek e fundit nuk dihet se ku përfundoi ai portofol që mori jetën e një 40-vjeçari.

Comments are closed.