Published On: Mon, May 20th, 2013

Taksat e makinave paguhen të përgjysmuara

7Të gjithë ata qytetarë që nuk kanë paguar taksat e makinave duke nisur nga sot ( e hënë) do të paguajnë përgjysmë. Kjo si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit “Për taksat kombëtare”, sipas të cilit ulet ndjeshëm detyrimi që duhet të paguhet për automjetet e përdorura.
Prej këtij ligji do të përfitojnë edhe ata qytetarë të cilët nuk kanë paguar detyrimet në vitet e shkuara me kushtin e vetëm që të paguajnë deri në fund të muajit qershor.
Njoftimi për hyrjen në fuqi të këtij ligji është bërë edhe në faqen zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ku i bëhet thirrje të gjithë zotëruesve të automjeteve që të përfitojnë prej kësaj lehtësie.
Sipas ligjit, taksa vjetore e mjeteve të përdorura është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës së përdorur deri më tani e cila llogaritet në bazë të: Cilindratës në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë së makinës x taksën fikse për llojin e karburantit që përdoret.
Në bazë të llojit të karburantit taksimi për mjetet që përdorin naftë është 12.5 lekë dhe 10 lekë për benzinën. Automjetet e reja deri në 3 vite përdorim përjashtohen nga çdo lloj taksimi ndërkohë që sa më të vjetra të jenë makinat aq më të larta janë edhe taksat. Kjo pasi koeficienti i vjetërsisë shtohet me 0.01 për çdo vit deri në vitin e dhjetë të vjetërsisë së makinës ndërsa pas vitit të dhjetë, koeficienti 0.24 shtohet me 0.04 për çdo vit, raporton Oran News.
Rritja e taksave për automjetet e vjetra u vendos pak kohë më parë me idenë e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja që ato sjellin. Por qeveria vendosi përgjysmimin e tyre për t’i dhënë mundësinë e përdorimit të një makine edhe një familjeje me të ardhura normale.

Comments are closed.

Page Speed 86 queries in 0.898 seconds.